Superylli brazilian Neymar mund t’i bashkohet Paris Saint-Germainit në përgatitjet parasezonale, por kjo nuk do të thotë se ai do të luajë në kryeqytetin francez sezonin që vjen, sipas gazetës së madhe franceze, L’Equipe.
Në një artikull me titullin “Le grand bluff”, i cili ishte një emision shumë i famshëm televiziv në Francë në vitet e 1990-ta dhe në shqip e ka kuptimin “blofi i madh”, apo “gënjeshtra e madhe”, L’Equipe thekson se situata në PSG është e pakthyeshme tani dhe se klauzola për të cilën është përfolur se është në kontratën e Neymarit me PSG-në, që ia mundëson atij largimin nga klubi pas dy sezoneve, në fakt nuk ekziston.
Duke u thirrur në burime brenda përfaqësuesve të lojtarit, gazeta e përditshme franceze raporton se Neymar e fajëson PSG-në për të gjitha problemet e tij aktuale. Por, presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, e ka bërë të qartë se nuk do të përkulet më para yjeve të skuadrës.
L’Equipe shton se Neymar mund të kthehet në stërvitje me PSG-në, por nuk është fshehtësi se ai është shumë i palumtur në Paris.







