Milani hodhi një hap fals në shtëpi, pasi nuk shkoi më shumë se rezultati 1-1 përballë Udineses, barazim ky që mund t’u kushtojë shtrenjtë në betejën për një vend në zonën Champions.

Nuk e fsheh zhgënjimin as Genaro Gattuso, i cili pasi shijoi 5 fitore radhazi në kampionat, tani për të tretën ndeshje me radhë, nuk po arrin të rikthejë ekipin te suksesi.

“Është e lehtë të flasësh për skema, por jemi në një moment të vështirë. Duhet të “vrasim” frikën, pasi po luajmë me frenat e dorës të ngritura. Edhe sa i përket aspektit fizik, kemi një rënie, pasi në pjesën e dytë skuadra nuk arrinte të shprehej si duhej”, tha Gattuso.

Dëmtimeve të Kessie dhe Susos, te kuqezinjtë u janë shtuar edhe ato të Paquetës dhe Donnarummës, të cilët lanë takimin e sotme në pjesën e parë. Gattuso pranon momentin negativ, por ka besim se skuadra do të dalë nga kriza.

“Çdo skuadër ka uljet dhe ngritjet e saj dhe ne jemi në një moment të keq. Duhet të dalim nga kjo situatë, duke përdorur të gjithë rrugët e mundshme, por shpresoj që të mos kemi edhe probleme me dëmtimet. Nesër do të vlerësojmë gjendjen e Donnarummës dhe Paquetës, të cilët ashtu si Suson, shpresoj t’i kem gati për të shtunën kundër Juventusit”, tha tekniku kuqezi.