Gonzalo Higuain kishte një natë të tmerrshme mbrëmë në përballjen me ish skuadrën e tij, Juventusin teksa e humbi penalltinë në pjesën e parë ndërsa më vonë edhe u përjashtua nga loja me karton të kuq, dhe trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso mendon se sulmuesi argjentinas ndien presion të madh.

30 vjeçari ka shënuar 7 gola në 13 paraqitje këtë sezon me fanellën e Milanit prej se u transferua nga “Zonja e Vjetër” verën e kaluar, me “Rosonerët” që ndodhen në pozitën e 5-të me 21 pikë.

“Në këto momente Higuain ndien shumë presion, fjalët e mija në konferencën për shtyp para ndeshjes nuk ishin rastësi. Ai ka peshë të madhe në supet e tij dhe kjo vërehet. Gonzalo duhet të jetë i qetë, të kërkojë falje dhe t’i marrë përgjegjësitë e tij. Ai është lojtari më i rëndësishëm i yni dhe duhet ta bëjë diferencën por duke e larguar nervozizmin”, tha Gattuso.

Ndërkohë vetë Higuain zgjodhi të kërkojë falje pas ndeshjes duke thënë se nuk arriti të kontrollojë emocionet, por shtoi se nuk e ka fyer askënd.

“Dukej një faull i paqenë që u dha për ta. Isha qortues por nuk e kam ofenduar askënd. Kërkoj falje nga klubi, tifozët, trajneri dhe bashkëlojtarët sepse këto episode duhet të evitohen. Ne jemi njerëz dhe kemi emocione, ishim duke humbur dhe reagova ashtu”, u shpreh Higuain.

“El Pipita” tutje theksoi se po të shënonte penalltinë gjërat do të ndryshonin, ndërsa premtoi se gjëra të tilla nuk do të ndodhin më teksa ktheu fokusin te ndeshja me Lazion pas ndërprerjes së kombëtareve.