Gattuso thotë se është vetëm fillimi arritja e zonës Champions League

Trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso i ka sfiduar futbollistët e tij të dëshmojnë se i përkasin pozitës së 4-të, ku “rosonerët” ndodhen aktualisht pas fitores dramatike 2-1 mbrëmë ndaj Genoas.

E ardhmja e Gattusos ishte në pikëpyetje pas humbjes në derbi përballë Interit, disfatë kjo që u pasua me një tjetër kundër Betisit në Europa League, por dy fitoret rradhazi në “San Siro” kundër Sampdorias dhe ndaj Genoas kanë rikthyer qetësinë te trajneri italian.

“Fitorja na ka mundësuar të jemi në pozitën e 4-të, por ky është vetëm hapi i parë. Tani duhet të dëshmojmë se mund të mbetemi në këtë pozicion. Ne i komplikuam vetes gjërat duke pësuar një gol të pabesueshëm por ishte sinjal i mirë aftësia jonë për ta fituar ndeshjen. Unë vazhdoj ta bëjë punën time”, theksoi Gattuso.

Kapiteni Romangnoli i dhuroi 3 pikët Milanit me golin e shënuar në minutat e shtesës, teksa më herët kishte realizuar në portën e tij. 23 vjeçari mendon se Milani kritikohet shumë, ndërsa shtoi se janë fitoret ato që vlejnë në fund të ditës.