Gattuso nuk e fajëson Donnarummën për humbjen ndaj Interit

Gianluigi Donnarumma bëri një gabim në dalje në golin e vetëm të “Derby della Madoninna” të shënuar nga Mauro Icardi, por trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso e ka mbrojtur portierin e ri.

Gattuso ka refuzuar të fajësojë vetëm një futbollist duke përmendur se e gjithë skuadra gaboi në momentin e golit që i solli 3 pikët Interit.

“Nuk dua të merrem me individët. Kishte gabime nga të gjithë në mbrojtje, me Abaten që u rrëzua shumë herët për të bllokuar pasimin, Musacchio nuk arrit ta kuptojë krosimin e Vecinos. Ne e humbëm ndeshjën si skuadër jo për shkak të Donnarummës. Nuk kishim guximin e duhur dhe pësuam një gol naiv”, tha Gattuso pas ndeshjes për Sky Sport Italia.

Gattuso tutje e pranoi se Interi ishte skuadër më e mirë dhe që e meritoi fitoren.

“Interi sigurisht se e meritoi më shumë se ne, por nëse do të përfundonte 0-0 do kishim folur për shumë gjëra pozitive. Ne luajtëm një futboll fizik të cilin nuk e pëlqejmë por sidoqoftë ia dolëm shumë mirë. Pendimi i vetëm është se në 15 minutat e fundit kemi pasur shumë kundërsulme që kemi mundur t’i shfrytëzojmë më mirë. Në përgjithësi duhet thënë se Interi bëri më shumë se ne”, përfundoi Gattuso.

Milani pa t’i jepej fund serisë prej 8 ndeshjeve pa humbje në të gjitha kompeticionet me disfatën kundër Interit, ndërsa vazhdon të vuajë nga mos arritja e mbylljes së portës, duke pësuar gol në të gjitha ndeshjet në Serie A.