Gattuso mund ta zëvendësojë Ancelottin në stolin e Napolit

Situatë e tendosur në shtëpinë e Napolit. Pas humbjes me Bolognan, trajneri Carlo Ancelotti i vendosi të gjithë futbollistët në rresht, duke urdhëruar grumbullimin e skuadrës.

Një vendin i guximshëm ky, nëse i referohemi gjobave që kanë vendosur drejtuesit, çka tregon për momentin e vështirë që po kalon skuadra.

Nuk diskutohet vetëm rendimenti i futbollistëve, por edhe e ardhmja e trajnerit. Për Carletton, dy ndeshjet e ardhshme, kundër Udineses në kampionat dhe Genkut në Champions janë vendimtare.

Nëse nuk vjen kthesa e menjëhershme, shkarkimi i tij është e vetmja zgjidhje e mundshme. Në fakt, gjatë ditëve të fundit, Ancelottin ka nisur të përndjekë hija e Gattusos, i cili shihet nga De Laurentiis njeriu i duhur për ta kaluar këtë situatë të vështirë, sigurisht nëse nuk vjen kthesa në sfidat e radhës.

Për momentin, presidenti i napolitanëve nuk ka marrë asnjë vendim për këtë çështje, por durimit po i vjen fundit dhe duket se po vjen ora për të bërë llogaritë e ndarë përgjegjësitë.

Mungesa e rezultateve por edhe kryengritja e skuadrës duket se ka lënë shenjë në dhomat e zhveshjes dhe në marrëdhëniet mes futbollistëve dhe De Laurentiis. Edhe pas vendimit të Ancelottit për të shkuar në grumbullim, mësohet se “5 rebelët” kanë tentuar sërish ta kundërshtojnë trajnerin. Tentativë që është shuar menjëherë nga trajneri, pa patur mundësinë e replikës.

Është një pozicionim i fortë për të rivendosur hierarkitë dhe gjetur përqendrimin e duhur në prag të sfidave të ardhshme. Sepse Udinese dhe Genk konsiderohen udhëkryqet e sezonit, si në Serie A dhe në Champions. E ardhmja e Ancelottit vendoset në një javë.