Gattuso kërkon nga ekipi i tij të shmangë befasitë në Ligën e Evropës

Gennaro Gattuso nuk dëshiron asnjë befasi të pakëndshme kundër Duddelange, këtë të enjte. Trajneri i Milanit, në konferencën për shtyp para sfidës së vlefshme për Ligën e Evropës, tha se kundërshtari nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë, pavarësisht gjithçkaje.

“Në letër jemi më të fortë, por ata dinë të luajnë futboll dhe e bëjnë këtë gjë si një skuadër. Nuk duhet të harrojmë se në takimin e parë, e patëm shumë të vështirë të shënonim. Duhet të jemi të vëmendshëm, por nuk ka asnjë rezultat tjetër të pranueshëm përveç fitores”, tha trajneri i kuqezinjve.

I pyetur në lidhje me ecurinë e skuadrës së tij gjatë këtij sezoni, Gattuso u përgjigj se me pak fat, Milani mund të ishte më lart në kampionat. Ish-mesfushori foli gjithashtu për sulmuesin argjentinas, Gonzalo Higuain, dhe për ecurinë e tij me skuadrën deri më tani, transmeton SS.

“Do të doja të kishim pak më shumë fat. Nëse shikoni kampionatin, na mungojnë të gjithë pikët e humbura në minutat e fundit, ose si në ndeshjen me Napolin, ku kryesonim 0-2. Higuaini e di se është një lojtar i madh, si dhe është një lider i dhomave të zhveshjes. Të tjerët e dëgjojnë, e kur ai nuk ndihet mirë, ekipi e ndjen këtë gjë gjithashtu”, tha Gattuso.

Pak ditë më parë, “Ringhio” mbushi vitin si trajner i kuqezinjve, ku ka kaluar edhe periudhën e tij të artë si futbollist. I pyetur në lidhje me këtë gjë, Gattuso tha se merita kryesore është e futbollistëve, të cilët e kanë mbështetur edhe në momentet më të vështira.

“Sigurisht, merita kryesore u takon djemve. Ka qenë një vit i vështirë, me periudha jo të lehta, por marrëdhënia që kam me ta, ku mund të flas për gjithçka, krijon një atmosferë fantastike. Kam luajtur në skuadra mjaft të forta, ku grupi nuk ishte solid. Kjo skuadër i njeh pikat e dobëta dhe të forta, dhe gjithsesi ka dëshirë të madhe për t’u përmirësuar”, deklaroi ai.