Gattuso: Ende kemi shanse për Champions, duhet të besojmë

Gennaro Gattuso beson se Milani i tij ende nuk i ka humbur shpresat për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm pas fitores minimale ndaj Fiorentinës të shtunën.

Gattuso ka folur për DAZN pas fitores së Milan 1:0 ndaj Fiorentinës, duke këmbëngulur se skuadra e tij do të luftojë deri në fund, transmeton Gazeta Express.

Hakan Calhanoglu ia siguroi tri pikë jetësore kuqezinjve dy javë para përfundimit të sezonit në Serie A, që nënkupton se Milani tani ka vetëm një pikë më pak se vendi i katërt, Interi, megjithëse kjo e fundit ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Fiorentina gjithmonë krijon probleme sepse ka lojtarë të shpejtë përpara. Në pjesën e parë na ndihmoi edhe atmosfera, në të dytën nuk dribluam më dhe rrezikuam”, tha ai.

“Tani kemi Frosinone-n, jemi akoma në lojë. Deri 25 ditë më parë ishim në Champions League, tani jo, por duhet të besojmë. Ne kemi akoma besim”, shtoi ai.

Trajneri italian u pyet edhe për zënkën me mesfushorin Tiémoué Bakayoko

“Bakayoko? Prioriteti im është Milan, rëndësi ka të respektojë grupin. Jam i kënaqur me paraqitjen e tij, të dy kemi gabuar atë natë, por gjithçka e zgjidhëm një ditë më vonë”, theksoi ai.