Gates: Pandemia e koronavirusit po ngadalëson luftën kundër sëmundjeve tjera

Pandemia e koronavirusit po shkakton ndërprerjen e zinxhirit global të përkujdesjes shëndetësore, duke ngadalësuar luftën kundër sëmundjeve tjera, përfshirë edhe AIDS-it, ka paralajmëruar miliarderi e filantropi Bill Gates.

Gates, duke folur në Konferencën Ndërkombëtare për AIDS-in të shtunën, citoi projeksionet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe të Fondit Global që këto ndërprerje do të shkaktojnë ndalimin e trajtimeve për qindra mijëra njerëz në nevojë, posaçërisht në Afrikë.

Bashkëthemeluesi i Microsoftit ka thënë se për shkak të përparimeve që shkencëtarët kanë bërë në identifikimin e të infektuarve së bashku me mënyrat e përmirësuara të diagnostikimit dhe përparimit të vaksinave, mbetet optimist se do ta mundim Covid-19 dhe do të vazhdojmë me përparimet sa i përket HIV/AIDS-it.

Filantropi i njohur paralajmëroi se nëse vaksinat dhe ilaçet shkojnë tek ata që paguajnë më së shumti, në vend se të shkojnë tek njerëzit dhe vendet që kanë më së shumti nevojë, do të kemi “një pandemi më afatgjate gjatë, më të padrejtë dhe më vdekjeprurëse”.

“Kemi nevojë që udhëheqësit të marrin vendime të vështira dhe distribuimi të jetë i drejtë e të mos udhëhiqet nga tregu”, shtoi Gates.

Themeluesi i Microsoftit ka qenë i përfshirë në projekte që kanë të bëjnë me shëndetësinë me vite të tëra, dhe kishte paralajmëruar për rrezikun e një pandemie në vitin 2015. Andaj edhe shpesh është pyetur rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë me përhapjen e koronavirusit.