Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka vlerësuar se Kosova nuk ka kapacitet institucional, politik apo ekonomik për të bllokuar ose vonuar projekte me interes strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi publik, Gashi thekson se ky është një realitet që, sipas tij, nuk kanë arritur ta ndryshojnë as shtete shumë më të mëdha dhe më të konsoliduara, duke paralajmëruar se çdo devijim nga kjo qasje mund ta ekspozojë Kosovën ndaj izolimit ekonomik dhe politik.
Sipas deputetit të LDK-së, problemi kryesor nuk lidhet me projektet amerikane, por me mungesën e një strategjie serioze shtetërore në sektorin e energjisë.
“Në vend të një vizioni afatgjatë, Kosova vazhdon me vendime ad hoc, pa konsensus dhe pa orientim të qëndrueshëm zhvillimor. Kjo dëmton jo vetëm ekonominë dhe sigurinë energjetike, por edhe besueshmërinë institucionale të vendit në raport me partnerët strategjikë, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Gashi.
Ai shton se diskutimet për ndërtimin e kapaciteteve të reja me thëngjill, gazifikimin e thëngjillit, kyçjen në rrjetet ndërkombëtare të gazsjellësve, si dhe zhvillimin e energjisë diellore, të erës dhe resurseve ujore duhet të trajtohen si çështje strategjike shtetërore dhe jo si improvizime politike.
Në reagimin e tij, Gashi rikujton gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje ishte kundërshtuesja kryesore e projektit për gazifikimin e thëngjillit të udhëhequr nga gjenerali Wesley Clark gjatë periudhës 2013–2020.
Në fund, deputeti i LDK-së vlerëson se Kosova ka potencial të shndërrohet në një aktor energjetik rajonal dhe eksportues neto të energjisë, por vetëm nëse ndërton një vizion afatgjatë, plan të qartë dhe konsensus politik për zhvillimin e sektorit energjetik.







