Ganimete Musliu: Nëse keni nevojë me shkarku stresin veç tregoni, unë e shkruaj një status menjëherë

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka vazhduar me reagime në rrjetin e saj social në Facebook.

Musliu ka ironizuar duke thënë se është e gatshme të shkruaj një postim nëse dikush ka nevojë ta shkarkojë stresin.

“Kozmopolitana e kozmopolitane si e kaluat diten sot? A pat çka hani a çka pini a? A ju ka ba kush nervoz? Nese keni nevojë me shkarku stresin, frustrimin e nervozën veq tregoni, unë menjeherë e shkruaj një status se nuk muj me ju pa juve me stres e pa disponim”, ka shkruar Musliu.

Reagimet e saj ishin të njëpasnjëshme pas deklaratës që e bëri dje në Kuvend ku tha se Kurti do jetë kryeministri i parë shqiptar “fëmijët e të cilit nuk i flasin shqip në shtëpi”.

Musliu këto deklarata i dha në seancën që po mbahej për votimin e Qeverisë. Të njëjtës iu tërhoq vërejtja për gjuhën e përdorur nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

 “Kryeministër shqiptar, do të mbeteni në histori si kryeministër i parë shqiptar, të cilit nuk i flasin shqip në Kosovë dhe në shtëpi”, deklaroi ajo.

Por thumbimi i saj nuk përfundoi me kaq. Sot Musliu ka publikuar një poezi për gjuhën shqipe të Gjergj Fishtës.

Pas kësaj Musliu ka kujtuar rastin kur Albin Kurti kishte deklaruar se “ka mbetur vetëm edhe djali i Thaçit të martohet me vajzen e Vuçiqit” si dhe rastin kur aktivistët e LVV-së kishin tentuar t’i shkonin në shtëpi Kadri Veselit.