Gani Koci kërkon “të mbyllen me beton” disa politikanë e publicistë të Kosovës, i quan gropa septike serbe

Gani Koci, zëvendësministri i dikurshëm nga PDK-ja i ka quajtur “gropa septike serbe që duhet mbyllur me beton” disa politikanë, publicistë e gazetarë të Kosovës, duke u ankuar më vonë se i ishte “shlyer” postimi në Facebook.

“Ka ardh koha, jo me i dezinfektu por me i mbyll me beton gropat septike serbe, të mbetura akoma në Kosovë. Shumë po kundërmojnë!”, kishte shkruar Koci të premten në mëngjes në Facebook.

Këtij postimi ai ia kishte bashkëngjitur fotografitë e publicistit Veton Surroi; kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani; ish-këshilltarit të Kurtit, Shkëlzen Gashi, deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, historianit Jusuf Buxhovi, ish-deputetes Drita Millaku, ish-zëvendësministrit Haki Abazi, aktivistit Rron Gjinovci, deputetes së LVV-së, Arbërie Nagavcit, gazetares Jeta Xharra, deputetes Fitore Pacolli dhe Ilir Dedës.

Megjithkëtë, statusi i tij ishte shlyer disa orë më vonë.

“Jurishnikët udbashë e VV-istë ma fshin statusin që kisha bër për gropat septike serbe të mbetura në Kosovë! Ato duhet, jo me i dezinfektu por me i mbyllë me beton! Shumë po kundermojnë!”, ka shkruar ai më pas.