Galatasaray e ka fituar 1:0 ndeshjen e parë kundër Liverpoolit, në kuadër të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve.

Ndeshja e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave u zhvillua të martë në Stamboll.

Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi në minutën e shtatë, Mario Lemina. Lemina shënoi me asistim të Victor Osimhenit.

Sulmuesi nigerian Osimhen, shënoi gol në pjesën e dytë. Por goli i shënuar në minutën e 62-të u anulua për pozitë jashtë loje. Goli i anuluar për pozitë jashtë loje ka nxitur menjëherë reagime të shumta.

Pozitë jashtë u vlerësua pasimi i parë i nisur drejt Barish Yilmazit, ndonëse topin e mori mbrojtësi i Liverpoolit, Ibrahim Konate, i cili gaboi dhe më pas u shfrytëzua nga vendasit që shënuan gol. Yilmazi nuk pati kontakt me topin.

Edhe Liverpoolit iu anulua një gol në minutën e 72-të për prekje me dorë të mbrojtësit Virgil van Dijk.

Ndeshja kthyese luhet pas një jave në “Anfield”.