Asambleisti më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje në Junik, Lulzim Gacaferi, ka reaguar ashpër përmes një statusi publik, duke akuzuar kryetarin e qendrës së VV-së në Junik se është i lidhur dhe i filtruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), shkruan Gazeta Projekti.

Sipas Gacaferit, ky përfaqësues lokal, ndonëse vepron nën logon e Lëvizjes Vetëvendosje, me “zemër dhe shpirt” i përket AAK-së dhe veprimet e tij janë në dëm të drejtpërdrejtë të VV-së në Junik.

Ai i ka bërë thirrje qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë që ta trajtojë seriozisht këtë çështje dhe të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë largimin e kryetarit aktual të qendrës në Junik nga strukturat e partisë.

“Ky person nuk po i shërben Vetëvendosjes, por po e saboton atë dhe po i shkakton dëm të madh në nivel lokal,” ka theksuar Gacaferi.

Tutje, ai ka shtuar se kryetari i VV-së në Junik është “humbës i përsëritur në zgjedhje” dhe se në zhvillimet e fundit, së bashku me një asambliste tjetër, ka votuar në favor të AAK-së.

Në reagimin e tij, Gacaferi ka përmendur edhe deklaratat e mëhershme të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se ato deklarata janë harruar nga ata që sot, sipas tij, po veprojnë në interes të AAK-së brenda strukturave të VV-së. Ai këto reagime i ka bërë pasi dy asambleistët e VV-së kanë votuar kryesuesin nga radhët e AAK-së.