Gaboni është shteti që tërhoqi njohjen, një çnjohje tjetër u stopua nga amerikanët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar nga Nju Jorku se ka marrë një notë tjetër nga një shtet për tërheqje të njohjes së Kosovës.

Vuçiq e ka quajtur këtë lajm të mirë për Serbinë. Demokracia.com ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për shtetin e Gabonit, i cili e ka njohur Kosovën në vitin 2011.

Po ashtu, Demokracia.com nga burime brenda MPJD-së merr vesh se edhe Hondurasi ka dërguar notë verbale në MPJD për tërheqje të njohjes, mirëpo ndërhyrja e diplomatëve amerikanë e ka stopuar këtë.

Vuçiq, po ashtu, ka thënë se po u lëshohet informata shteteve anëtare se nuk është e nevojshme që Kosova të jetë në OKB për t’u pranuar në Bashkim Evropian.

“Për ne OKB-ja është e rëndësishme, por dua të them se po sjelli një lajm të mirë për qytetarët e Serbisë. Kam marrë një notë tjetër nga një shtet për tërheqjen e njohjes së Kosovës”, ka thënë Vuçiq, raporton B92.

Vuçiq ka thënë se do të angazhohet për një zgjidhje kompromisi dhe do të forcojë bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në.

“Ashtu siç përpiqem të mbajë marrëdhëniet e mira me Rusinë e Kinën. Kjo është politika e vetme që mund të kemi. Për shkak të Kosovës, ne mund të kemi vetëm anën tonë. Ne duhet të jemi kudo, sepse po luftojmë për jetën e popullit dhe shtetit tonë”, ka thënë Vuçiq. /Demokracia.com/