Gabigol afër arritjes së marrëveshjes me Flamengon

Gabriel Barbosa shumë shpejt mund të konsiderohet në të gjitha efektet një futbollist i Flamengos.

Pas bisedimeve të shumta me klubin brazilian kryegolashënuesi i kuqezinjëve nga Rio De Janeiro ka arritur akordin financiar me drejtuesit e Flamengos.

Gabigol i cili është ende nën pronësi të Interit dhe gjatë vitit 2019-të luajti në formë huazimi te skuadra braziliane me të cilën fitoi kampionatin dhe Copa Libertadores, ka ulur disi pretendimet e tij për pagën që do të përfitojë te Flamengo ndërkohë që klubi brazilian e ka rritur ofertën në 3,5 milionë euro në sezon, një pagë e kënaqshme kjo për Gabriel Barbosan.

Por përveç akordit me lojtarin Flamengo duhet të bindë edhe Interin, klubi nga Rio është gati të paguajë 18 milionë euro ndërkohë që Interi do të ruajë edhe një përqindje të kartonit në rast se Flamengo e shet në të ardhmen.