Futbollisti i Llapit shpallet “Ylli i javës” në Superligën e Kosovës

Futbollisti i Llapit, Festim Alidema ka fituar çmimin e më të mirit për javën e 14-të në Superligën e Kosovës.

Alidema u vlerësua më meritori për fitoren që skuadra llapjane e realizoi ndaj lideres së renditjes, Dritës, me rezultat 4:1.

Në fakt, Alidema pati paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, duke qenë kreator i lojës së Llapit dhe asistues në tre gola për bashkëlojtarët e tij.

Pas marrjes së çmimit futbollisti i llapjanëve u shpreh falënderues për vlerësimin, teksa theksoi se skuadra e tij do të vazhdojë të punojë në realizimin e objektivave të këtij edicioni.

“Çmimi ‘Ylli i javës’ është një motiv shtesë për mua që tashmë jam duke u rikthyer në formën time të mëparshme. Për këtë çmim meritorë janë edhe bashkëlojtarët dhe shtabi teknik, të cilëve u jam falënderues.”, tha Alidema.

“Llapi është duke e gjetur formën nga ndeshja në ndeshje dhe si gjithmonë edhe këtë edicion nuk do të dorëzohemi drejt synimeve tona”, tha Festim Alidema për faqen zyrtare të FFK-së.