Bullgaria ka lëshuar pikë në ndeshjen e parë në Grupin A në kualifikimet për “Euro 2020”.

Kundërshtari, me të cilin do të përballet të hënën Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri”, gaboi në shtëpi duke barazuar 1-1 me Malin e Zi, për të marrë vetëm një pikë.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët, ishte Stefan Mugosa ai që shënoi në minutën e 51’.

Kurse për 1-1 barazoi Todor Nedelev në minutën e 82’ të takimit nga pika e bardhë.

Sido që të jetë, Bullgaria mori një pikë pak ditë para përballjes me Kosovën, kundërshtar për të cilin Nedelev nuk di asgjë.

“Nuk di asgjë për Kosovën. Nuk i njoh si ekip dhe nuk i kam parë kurrë duke luajtur”, ka deklaruar Nedelev për mediat bullgare.

Kosova e Bullgaria do të përballen të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.