Futbolli spanjoll/ Klubet u nënshtrohen tamponëve për Covid-19

Në Spanjë nisin testet për koronavirus te 42 klubet profesioniste, 20 të Primera Division dhe 22 të Segunda Division.

Sipas drejtuesve të La Ligës në 2000 teste që do të kryhen në total parashikohen 30 raste pozitive asimptomatikë me Covid-19, që do të thotë një nivel prej më pak se 2% një shifër që është e ngjashme me atë në Bundesligë edhe pse përhapja e koronavirusit në Spanjë ishte më e madhe se në Gjermani.

Ditën e premte do të dalin përgjigjet dhe do të jenë anonime dhe personale. Do të jenë vetë futbollistët që do të kenë detyrimin për t’u komunikuar klubeve respektive rezultatet dhe më pas La Liga do të bëjë një përmbledhje për pandeminë në Primera dhe Segunda Division.

Ndër klubet që kanë nisur kryerjen e këtyre testeve, janë padyshim edhe dy gjigantët e futbollit spanjoll Real Madrid e Barcelona. Kryerja e këtyre testeve është e detyrueshme nga ligji i punës për parandalimin dhe shëndetin për 1008 futbollistë, 126 trajnerë dhe 420 persona të tjerë që punojnë me skuadrat.

Protokolli i përgatitur nga Këshilli Superiore i Sporteve dhe i miratuar nga ministria spanjolle e Shëndetësisë përcakton se personat që do të rezultojnë pozitivë në teste do të duhet të ndahen menjëherë nga grupi dhe do të vendosen në karantinë. 2000 testet do të përsëriten javën e ardhshme nga të gjitha skuadrat e Primera dhe Segunda Divizion. Në total çdo futbollist profesionist do të kryejë 4 teste për koronavirus në 30 ditët e ardhshme.