Fury me fjalë të mëdha për Wilderin pas meçit

Pasi u rrëzua dy herë në dyshen e ringut në një meç dërrmues për titullin e kampionit të botës, Tyson Fury ka deklaruar se Deontay Wilder ka goditjen më të rëndë me grusht në histori të boksit në kategorinë e rëndë.

Furyt iu mohua njëri prej rikthimeve më të mëdha në histori të boksit, pasi meçi për titull të botës në divizionin WBC ndaj Wilderit përfundoi me barazim në Staples Center në Los Angeles, transmeton Gazeta Express.

Pasi dominoi në rundet hapëse, britaniku Fury u nokautua së pari në rundin e nëntë, dhe përsëri në të 12-tin kur u duk se gjithçka kishte mbaruar, por ai u çua në këmbë përsëri dhe ia doli të mbijetoi deri në përfundim.

Pas kësaj, Fury e lartësoi rivalin e tij amerikan.

“Ai është luftëtar i madh dhe unë e respektoj”, tha Fury në konferencë pas ndeshjes.

“Thashë para meçit se Deontay Wilder e ka goditjen më të fuqishme me grusht në histori të kategorisë së rëndë. Ai ka grusht të frikshëm. Por, unë kam zemër dhe shpirt luftarak”, shtoi ai.