Fury: Jam më i miri në botë, kurrë mos dyshoni në mua

Boksieri britanik Tyson Fury thotë se ai është boksieri më i mirë në peshën e rëndë e se amerikani Deontay Wilder vjen menjëherë pas tij.

“Falënderoj Zotin për këtë fitore. U rrëzova dy herë, isha i lënduar, Wilderi ka grusht të fuqishëm. Ishte luftë e madhe. Wilderi është një top boksier. Gjithmonë them se unë jam më i miri në botë, e Wilderi është i dyti. Kurrë mos dyshoni në mua”, tha Fury.

Fury dy herë e gjeti veten në dysheme, por triumfoi me nokaut në raund të 11-të në meçin e zhvilluar në Las Vegas kundër amerikanit Deontay Wilder, duke e mbrojtur titullin e botës në versionin WBC.

“Nuk pata paraqitjen më të mirë, por arrita të bëja atë që duhej. Ai vazhdonte të ngrihej por e djathta ime i dha fund duelit. Unë u rrëzova por isha shumë i vetëdijshëm gjatë gjithë kohës. Ndërsa isha gjatë gjithë luftës vetëm një grusht larg triumfit mr nokaut, të cilin e arrita në raundin e 11-të. Unë shkova te këndi i tij për ta përgëzuar tha se nuk do që të tregoj asnjë sportivitet apo respekt. Është idiot. Lutem për të. Jam falënderues që të gjithë po dalim mirë nga ringu e po shkojmë te familjet tona”, tha Fury. 

Boksieri britanik e ka vlerësuar fitoren ndaj Wilderit si një nga më të mëdhatë në karrierën e tij. 

“E kam merituar tash një pushim. Para se të fillojë të luftojë me të tjerë, do të shijojë këtë fitore. Sonte ishte një nga fitoret e mia më të mëdha. Jam ngritur nga dyshemeja dhe kam triumfuar”, tha Fury.