Ish kryeministri britanik mbështeti sulmin indian. Rishi Sunak tha se India “kishte justifikim për të sulmuar infrastrukturën terroriste”.
“Asnjë vend nuk duhet të tolerojë sulmet terroriste të nisura nga territori nën kontrollin e një vendi tjetër. India ishte e justifikuar në goditjen e infrastrukturës terroriste. Terroristët nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar,” tha Rishi Sunak, transmeton Ballkani.info.
Kështu, ish kryeministri britanik iu bashkua zyrtarëve të rrallë perëndimorë që mbështetën hapur veprimin e Indisë.
Më herët, kryeministri britanik Keir Starmer i bëri thirrje Indisë dhe Pakistanit që të ndërmarrin hapa për të reduktuar “tensionet në rritje” pas shkëmbimit të zjarrit në Kashmir.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy gjithashtu u bëri thirrje të dyja palëve për “përmbajtje dhe dialog të drejtpërdrejtë për të gjetur shpejt një zgjidhje diplomatike”.
American Airlines anulon fluturimin për në Delhi për shkak të tensionit
American Airlines ka anuluar një fluturim nga Nju Jorku në Delhi për shkak të tensioneve të rritura midis Indisë dhe Pakistanit.
Linja ajrore njoftoi se ishte ende duke monitoruar nga afër situatën dhe njoftoi se do të merrte një avion nga Delhi vetëm me ekuipazhin, pa pasagjerë.
Ky vendim vjen pasi India informoi më shumë se një duzinë ambasadorë të huaj në Nju Delhi se, “nëse Pakistani përgjigjet, India do të përgjigjet gjithashtu”, duke rritur më tej frikën për një konflikt më të gjerë ushtarak.
Ambasadori izraelit mbështet sulmet indiane
Ambasadori i Izraelit në Indi tha se Izraeli “mbështet të drejtën e Indisë për vetëmbrojtje” pasi India kreu sulme ajrore në objektiva në Pakistan.
“Terroristët duhet ta dinë se nuk mund të fshihen nga krimet e tyre kundër të pafajshmëve”, shkroi Reuven Azar në rrjetet sociale, duke shtuar hashtag-un #OperationSindoor – emri i koduar i ushtrisë indiane për këto sulme.
Ndryshe nga shumica e reagimeve ndërkombëtare që bëjnë thirrje për përmbajtje, deklarata e Azarov nuk përmban një apel të tillë.
India dhe Izraeli kanë lidhje të forta ushtarake – India importon më shumë armë nga Izraeli se çdo vend tjetër, duke përbërë më shumë se një të tretën e eksporteve totale të armëve të Izraelit, sipas Institutit të Kërkimeve të Paqes në Stokholm.
Banorët po largohen nga fshatrat pranë vijës ndarëse
Pas sulmeve ajrore indiane të kryera gjatë natës, shumë banorë të fshatrave pranë Linjës së Kontrollit (LoC), kufiri de facto midis Indisë dhe Pakistanit, filluan të iknin, duke marrë me vete gjërat e tyre.
Familjet largohen nga fshatrat Suchetgarh dhe Jeora Farm në pjesën indiane të Kashmirit, duke transportuar gjërat e tyre me karroca, rimorkio të improvizuara dhe me kalë, ndërsa largohen nga kufiri me Pakistanin. /Ballkani.info/







