Frank de Boer e cilëson qesharake idenë për t’u paguar njëjtë burrat dhe gratë

Edhe pasi Jose Mourinho e quajti Frank de Boerin trajnerin më të dobët në histori të Premierligës, vetëbesimi i holandezit mbetet i madh. Së fundi, ai ka thënë se gratë nuk duhet të marrin paga të barabarta me burrat për arritje në nivelin ndërkombëtar.

Frank De Boer kishte qenë kapiten i ekipit kombëtar të Holandës, që arriti ta marrë vendin e katërt në Kupën e Botës 1998, në Francë. Këtë vit, ekipi kombëtar i grave të Holandës arriti deri në finale të Kupës së Botës, ku humbën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Holandës e ka marrë iniciativën për t’i nivelizuar pagat për ekipin kombëtar të grave dhe të burrave. Pagat e grave do të rriten gradualisht deri në vitin 2023, kur pritet të fitojnë po aq sa bashkëkombësit e tyre burra.

Ekipi kombëtar i grave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë paditur Federatën e vet për shkak se burrat, që as nuk u kualifikuan në Kupën e fundit të Botës, fitojnë më shumë sesa gratë, të cilat janë shpallur dy herë radhazi kampione të Botës.

Megjithatë, De Boer beson se gratë nuk meritojnë pagë të njëjtë me burrat.

“Mendoj se, për mua, kjo është qesharake. Është e njëjta me tenisin. Nëse finalen e Kupës së Botës e shikojnë të themi rreth 500 milionë njerëz, ndërsa finalen e grave e shikojnë 100 milionë, atëherë këtu është dallimi”, ka thënë De Boer.

“Kështu që nuk është e njëjta. Dhe natyrisht ato duhet të paguhen aq sa e meritojnë dhe jo më pak, por pikërisht sa e meritojnë. Nëse janë aq të famshme sa burrat, do të fitojnë po aq për shkak të reklamave dhe gjërave të tilla”.

loading…