Francezi Le Tallec shpreson të luajë për Rusinë në “Euro 2020”

Mesfushori francez Damien le Tallec shpreson që të bëhet shtetas i Rusisë, në mënyrë që të jetë në gjendje të luajë për këtë vend në Kampionatin Evropian që mbahet vitin tjetër.

Le Tallec, 29-vjeçar, aktualisht është pjesë e skuadrës franceze Montpellier dhe tashmë ka zbuluar se ka folur me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Rusisë, që janë të interesuar ta kenë në radhët e veta. Le Tallec ka luajtur për të gjitha gjeneratat e Francës, me përjashtim të ekipit A. Pasi ka humbur shpresat të luajë me Francën, ai tash shpreson ta përfaqësojë Rusinë në “Euro 2020”.

“Para disa muajve kam nisur procedurën për t’u pajisur me pasaportën e Rusisë”, është shprehur Le Tallec, shkruan AFP.

“Besoj se për pak muaj pasaporta do të jetë gati dhe do të jem në gjendje të luaj për Rusinë në Evropian, pasi tashmë kam biseduar edhe me krerët e Federatës së këtij vendi”.

Gjatë karrierës si profesionist, Le Tallec ka luajtur në disa klube të ndryshme, përfshirë këtu edhe ekipin Mordovia nga Saransku i Rusisë, gjatë edicionit 2014/15. Gjatë asaj kohe, Le Tallec është martuar me një ruse dhe ka shtëpi në Moskë, derisa i biri i tij ka shtetësi të dyfishtë – franceze dhe ruse. Ai ka pranuar se do të jetë nder i madh për të nëse e bart fanellën e Përfaqësueses së Rusisë. Le Tallec ka shtuar se është tifoz i flakët i Rusisë dhe i seleksionuesit Stanistav Cherchesov, me të cilin është takuar disa herë.

“E dua Rusinë, kulturën e këtij vendi dhe mentalitetin e njerëzve. Nëse trajneri do të ketë nevojë për mua, sapo të pajisem me pasaportë, menjëherë do t’i përgjigjem. Në fakt, ai tashmë më ka njoftuar se do të jem i mirëseardhur në ekipin e tij. Për mua do të jetë një nder i madh që ta përfaqësoj Rusinë”, ka thënë Le Tallec. “Besoj se prej momentit që do ta marr pasaportën ruse, trajneri do t’i përcjellë ndeshjet e mia te Montpellieri. Nëse do të luaj në Evropian, atëherë do të jap gjithçka nga vetja për ta ndihmuar ekipin”.

Le Tallec këtë edicion ka shënuar dy gola në 20 ndeshje për Montpellierin, kurse ka luajtur edhe te Rennesi, Borussia Dortmundi, Nantesi e Hoverla. Me ekipin francez ka kontratë deri në vitin 2022. Damien është vëllai i vogël i mesfushorit tjetër nga Franca, Anthony le Tallec, që si profesionist kishte debutuar te Liverpooli në vitin 2001 dhe për shtatë vjet ka qenë pjesë e ekipit anglez.