FOTO/ Grenell publikon fotografi nga koha kur ishte i sëmurë me kancer: Ka disa fjalë për ata që i ndihmuan

Shefi në detyrë i Intelegjecës amerikane, njëherit i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, si rrallë herë ka publikuar një fotografi nga koha kur ishte i prekur nga kanceri, sëmundje të cilën e mposhti, ku i ka falenderuar të gjithë ata që e ndihmuan gjatë asaj kohe.

Politikani i njohur amerikan sot në rrjetin social Instagram ka postuar një fotografi të bërë gjatë kohës sa po luftonte me sëmundjen e kancerit.

Ai përmes këtij postimi ka falenderuar të gjithë ata që i ndihmuan në rrugëtimin e tij, teksa thotë se sot asgjë nuk merr si të mirëqenë.

“Ky jam unë. Tre javë pas kimioterapisë për herën e gjashtë rradhasi, dola për një vrapim të shkurtër me @jennywilsonut. Kur je i sëmurë, mbështetja nga familjarët dhe miqtë është qenësore. Sot unë jam i shëruar plotësisht nga kanceri dhe këtë nuk e marr si të mirëqenë. Faleminderit të gjithë atyre që më ndihmuan në këtë rrugëtim”, ka shkruar Grenell në Instagram.

Politikani në fjalë nuk ngurron të flas për jetën e tij personale, teksa është një prej diplomatëve të parë amerikanë që ka dalur haptas si homoseksual dhe është i martuar me një burrë.

Për këtë, por edhe për mposhtjen e sëmundjes së kancerit, Grenell disa herë ka theksuar se ndihet shumë krenar.

Kujtojmë se emisari kohëve të fundit ka qenë temë kryesore në Kosovë, duke përçuar mesazhe tek skena politike, direkt nga administrata e Presidentit Donald Trump.

Këto mesazhe nuk i kanë pëlqyer të gjithë, veçanërisht Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin si kryeministër në detyrë, të cilit i është kërkuar heqja e plotë e taksës, pa vendosur masa reciprociteti.

Ky më pas, akuzoi SHBA’të se po nguten për një marrëveshje të keqe Kosovë-Serbi, e cila përfshin edhe shkëmbimin e territoreve mes dy shteteve.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i emisarit Grenell, i cili ka theksuar se siç ka thënë disa herë, nuk është diskutuar kurrë një gjë e tillë në praninë e tij.

“Nuk ka pasur absolutisht fjalë për shkëmbim territoresh prej meje – dhe nuk është diskutuar prej askujt tjetër në praninë time. Këtë e kemi thënë shumë herë”, ka shkruar ai në Twitter.

Prishja e marrëdhënieve nga Qeveria Kurti me Richard Grenell dhe SHBA’të, ka bërë që ish-partneri i VV’së në koalicion, LDK, të nisë mocion mosbesimi dhe kështu më 25 mars, me 82 vota pro u shkarkua ekzekutivi në krye me VV.

Pas kësaj Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes 4 letrave të dërguara rradhazi ka kërkuar emrin e propozuar për mandatar nga VV, por këta nuk i janë përgjigjur një kërkese të tillë.

VV, ndryshe nga partitë tjera parlamentare, LDK, PDK, AAK, AKR e Nisma, po thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe se nuk lejojnë të ketë qeveri pa ata