Forumi Crans Montana promovon Kosovën në aspektin ndërkombëtar

Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi sot se mbajtja e forumit të radhës të Crans Montana në Prishtinë është një rast i mirë për promovimin e vendit tonë në aspektin ndërkombëtar.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me drejtorin e Crans Montana Forum, z. Pierre Emannuel Quirin, të cilin e falënderoi për vizitën në Kosovë dhe rolin e forumit, i cili punon ngushtë me të gjitha qeveritë dhe organizata të ndryshme që të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Kam nderin që sot keni vizituar Kosovën dhe keni shprehur vullnetin që të dëgjoni nga afër për zhvillimet këtu në vend e po ashtu edhe të arriturat tona drejt konsolidimit të shtetit tonë me shumë sfida përpara”, tha Haradinaj duke theksuar se forume të tilla forcojnë marrëdhëniet e partneritetit mes shteteve.

Sipas tij, ky forum i ka dhënë hapësirë të respektuar Kosovës në të kaluarën dhe është një nga ngjarjet ku Kosova mund të promovohet dhe fuqizohet në aspektin ndërkombëtar, meqë pjesëmarrësit janë vendimmarrës të rëndësishëm të botës.

Ndërsa, drejtori i Crans Montana Forum, Pierre Emannuel Quirin, shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.