Në konferencën e sotme për media, selektori i Kosovës, Franco Foda i ka veçuar dy lojtarë, për të cilët i ka dhënë arsyet pse nuk janë në listën e muajit qershor për miqësoren me Norvegjinë.

Bëhet fjalë për Emir Sahitin e Hajduk Splitit dhe Donis Avdijaj, që për momentin po luan te TSV Hartberg në Austri.

“Sahiti është në listën e gjerë, ndërsa Avdijajn nuk e kam ftuar shkaku i disa mosmarrëveshjeve që i kishte me FFK-në para se të vija unë këtu”, deklaroi trajneri gjerman.

Donis Avdijaj më herët kishte qenë pjesë e përfaqësueses, duke e djersitur fanellën dardane në gjashtë raste, madje duke i shënuar dy gola.

Ndërkohë, 25-vjeçari Emir Sahiti po ashtu ka paraqitje me fanellën e Kosovës, por vetëm dy ndeshje, në të cilat ka luajtur vetëm dy minuta gjithsej.