Flet ish drejtori i Policisë| Qalaj: Është herët të thuhet se sulmi në veri ishte terrorist, por duhet të jemi të përgatitur

Për tri ditë rresht (13-15 prill), oficerët e Policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Policia e Kosovës thotë se kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia.

Për t’i kryer këto sulme u përdorën iriqë metalikë, automatikët AK-47, granatat e dorës, e armë të tjera.

Këto sulme u cilësuan si akte terroriste nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili sot doli në një konferencë të jashtëzakonshme me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti.

Por, kualifikimi i këtyre akteve si sulme terroriste është çështje që duhet të diskutohet. Kështu po vlerëson ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj.

Qalaj në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se këto sulme janë shqetësuese.

“Është shqetësim për shkak se është është në pyetje siguria e policëve dhe çdokush që e sulmon policinë është kriminel. Ne e dimë që në pjesën e veriut ka shumë individë që merren me kontrabandë dhe krim të organizuar. Ata shpeshherë janë të përkrahur edhe nga politika dhe nga grupe të caktuara. Këto sulme duhet të dënohen nga e gjithë shoqëria dhe duhet ta përkrahim Policinë e Kosovës”, ka thënë Qalaj.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës duhet që sa më parë ta hetojë këtë rast dhe të arrestojë kryerësit e këtyre sulmeve. Qalaj është i vetëdijshëm se arrestimi i tyre është punë e vështirë.

“Policia duhet që sa më shpejt t’i hetojë, zbulojë dhe arrestojë kryerësit e këtyre veprave edhe pse e dimë që është mjaft e vështirë, sepse ata mund ta kalojnë kufirin me Serbinë dhe shteti serb i përkrahë vazhdimisht ata që shkaktojnë trazira në veri”, tha ai.

Demokracia.com e ka pyetur ish-drejtorin nëse është i ngutshëm klasifikimi i këtyre sulmeve si akt terrorist.

“Varet prej njerëzve se si i klasifikojnë, nuk ka ndonjë definicion universal mbi terrorizmin, por ajo që është fakt tregon se këto sulme kanë për cak Policinë e Kosovës dhe ata duhet të jenë të kujdesshëm, sepse shumë lehtë mund të qëllohen me armë zjarri. Sa i përket kualifikimit të veprës është çështje që duhet të diskutohet. Është vështirë,  nuk e kisha quajtur sulm terrorist. Është akt kriminal që ka qëllim frikësimin e policëve të Kosovës dhe është fat i madh që askush nga nuk është lënduar apo vrarë. Ata (policët) duhet të jenë syçelë, duhet të jenë të gatshëm”, tha ai.

Qalaj tha se policët duhet të kundërpërgjigjen kur rrezikohet jeta e tyre. “Kur polici sulmohet me armë ka të drejtë ligjore që të ia kthejë në të njëjtën mënyrë dhe ta eliminojë rrezikun”, thekson  ai.