Flet gruaja e njërit nga të dyshuarit për vrasjen në Gjilan, tregon se ku ishte burri i saj kur ndodhi vrasja

Qyteti i Gjilanit u trondit mbrëmë nga një vrasje që ndodhi në një kafene afër parkut të qytetit. Dy persona po dyshohen se ekzekutuan me 17 plumba taksistin 50-vjeçar, Bakush Veselin.

Merita Bajrami, bashkëshortja e Gëzim Bajramit, njërit nga të dyshuarit, hedh poshtë çdo mundësi që bashkëshorti i saj të jetë përfshirë në këtë krim.

Ajo ka rrëfyer për Gazetën Sinjali se ku ndodhej Gëzimi kur ndodhi vrasja dhe si ishte gjendja e tij emocionale.

Merita thotë se në momentin kur ndodhi vrasja, bashkëshorti i saj ndodhej në shtëpi dhe se në orën 19:42 ishte nisur nga shtëpia me veturë për ta marrë atë nga vendi i saj i punës.

Nga aty, ajo rrëfen se kanë vazhduar rrugën për në Interex, ku kanë kryer pazarin dhe më pas janë kthyer për në shtëpi.

Dëshmi për versionin e saj ajo tha se janë video-incizimet e kamerave të sigurisë që janë të vendosura afër vendit të saj të punës dhe në supermarketin “Interex”.

“Rasti kur ka ndodhë, Gëzim Bajrami u nis prej shpisë dhe drejt ka ardhë te puna dhe më ka marrë mu. Ka kamera ku hetohet, ka krejt, nuk ka mujt ky në asnjë pikë ai me u kon në atë vend. Çika tha në orën 19:42, babi më ka pyet sa është ora, ora u kon 19:42, kur u nis mu me më marrë. Për 7 minuta ai nuk ka mujt me shku te stacioni i autobusëve me u ndrru, me bo diçka, se pas 7 minutave kur u nis prej shpisë, ai ka ardhë te puna. Është banka aty afër, janë kamerat, krejt. Ai ka ardhë më ka prit mu në parking, deri në orën 20:00, kur kom dal prej punës. bashkë me Gëzimin prej aty kemi shku në Interex, janë kamerat aty”, rrëfen ajo.

Pasi që janë kthyer në shtëpi, ajo thotë se Gëzimi ka pranuar një telefonatë nga Faton Osmani (i dyshuari tjetër), i cili, siç Gëzimi e ka informuar bashkëshorten e tij, i ka kërkuar që të takohen dhe t’ia japë paratë për blerjen e qengjave.

Ajo thotë se Gëzimi është arrestuar nga policia, derisa kishte qenë bashkë me Fatonin.

“Kemi shku në Interex me ble harxh dhe jemi kthy në shpi. Kur jemi kthy në shpi, Fatoni (i dyshuari tjetër) e ka thirrë Gëzimin në telefon, me dalë me i marrë do pare për me ble qengja, se ky ka punu me të. Rasti atëherë as nuk u ditë. Kur kanë shku atje, i kanë nxon policia, kanë shku me e arrestu Fatonin, e kanë nxon edhe këtë“, tha ajo.

Ajo pretendon se bashkëshorti i saj, Gëzimi, nuk ka pasur asnjë lidhje, madje, as informacion, për vrasjen dhe se në asnjë moment, ajo nuk ka vërejtur ndonjë shenjë të shqetësimit ose nervozizmit te ai.

“As nuk ka ditë kurgjo, se unë e kisha vërejt edhe në ftyrë, ama kurgjo nuk ka ditë. Veç pse Gëzimi e ka Fatonin shok, nuk dua të dalin informata që ai është vrasës. Prej orës 19:00 deri në orën 17:45 ka qenë në shtëpi, kanë hongër darkë, kanë pi çaj dhe në orën 19:45 u nis me më marrë mu. Gëzimi u vonu shumë, e pashë në media që ka ndodhë një vrasje.”

“E thirra, më tha ‘Merita, jam në polici’, i thash ‘çka ndodhi, pse në polici’, tha ‘që kanë dyshu në Fatonin, më rrokën edhe mu, qëllova aty se shkova me i marr paret. Fatoni e ka Gëzimin vetëm shok, kanë punu bashkë. Rasti kur ka ndodhë ai ka qenë në shtëpi dhe nuk ka pasë lidhje absolut. Ai gjithçka më tregon mu, kurgjo nuk fsheh prej meje. Kemi shku në Interex”, përfundoi ajo.

Gëzim Bajrami dhe Faton Osmani po mbahen në ndalim policor dhe Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit.