Flet gruaja e 56-vjeçarit që dyshohet se la shtatëzënë 20-vjeçaren me aftësi të veçanta: Burrin ma morën për drogë

56 vjeçari Petrit Arapi nga Roskoveci u arrestua nga policia e Fierit me dyshimin se ka abuzuar seksualisht një të re me probleme të shëndetit mendor e cila rezulton në muajin e 7 të shtatzënisë.

Bashkëshortja e tij u shfaq e tronditur dhe deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni kur iu kërkua një reagim për ngjarjen e rëndë.

Gruaja theksoi se policia i kishte thënë se burrin po e arrestonin për kultivim droge.

“Kanë ardhur kanë gjetur drogën, e kanë gjetur andej nëpër ullinj. Policia na e tha,” thotë ajo.

Sipas burimeve policore, vajza e abuzuar është banore e zonës, por gruaja e 56 vjeçarit këmbëngul se autori nuk mund të jete burri i saj.

“Nuk di gjë fare burri im për atë punë. Çfarë po thonë kështu,” shprehet bashkëshortja.

Por e bija nga ana tjetër, u tregua e rezervuar.

“Nuk japim shpjegime për këto gjëra,” tha vajza.

Burimet thanë se kanë qenë të afërmit e vajzës që kanë bërë denoncim për skandalin e abuzimit, kur kanë mësuar për shtatzëninë.

Më pas ka qenë e reja që ka drejtuar gishtin e akuzës ndaj fqinjit 56 vjeçar, i cili akuzohet se e ka abuzuar seksualisht.

Ndaj Petrit Arapit tashmë është ngritur akuza për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.

Megjithatë, verifikimet për rastin vijojnë.

Gjatë pandemisë së koronavirusit janë zbuluar disa raste tronditëse të abuzimit seksual me të mitura dhe persona me probleme të shëndetit mendor.