Flet futbollisti i Chelseat, i prekur nga koronavirusi

Callum Hudson-Odoi zbulon se është shëruar tashmë nga simptomat e këtij gripi, ndërsa e ka konfirmuar vetë-izolimin për një javë të tërë. Ylli i ri i Chelseat kishte dalë pozitiv në kontrollin e koronavirusit në fillim të javës

Futbollisti i Chelseat, Callum Hudson-Odoi ka zbuluar se ka hyrë në periudhën prej një jave të vetë-izolimit pasi u shërua nga simptomat e koronavirusit.

19 vjeçari ua ka dërguar një mesazh tifozëve përmes rrjeteve sociale, duke dhënë përditësim të shëndetit të tij, pasi ishte diagnostifikuar edhe zyrtarisht të enjten me Covid-19.

“Përshëndetje njerëz, siç mund të jeni të informuar, unë e kisha virusin në ditët e fundit, por tash jam shëruar nga ai”, e ka nisur bisedën mesfushori ofanziv i “Blues”.

“Por i ndjek këshillat dhe udhëzimet e shëndetit dhe të vetë-izolimit për një javë. Shpresoj t’i shoh të gjithë sa më shpejtë dhe shpresoj të rikthehem në fushën e blertë sa më shpejtë. Kujdesuni për veten”, ka shtuar talenti i “Blues”.

Si rezultat i rasteve të prekjes nga koronavirusi të Odoi dhe të trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, për të mos u përhapur ky virus edhe më shumë, Premierliga ka vendosur sot t’i shtyjë ndeshjet deri më 3 prill.