Flet Bekim Haxhiu: Agon Musliu vdiq në duart e shtetit, do të vazhdohet hetimi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Sot janë bërë tetë muaj prej kur 26-vjeçari Agon Musliu vdiq në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila ishte kthyer në karantinë.

Tetë muaj më pas, nëna e Agonit, Sofija dhe babai Naimi, vendosën kurorë me lule tek konviktet, aty ku i biri i tyre humbi jetën.

Prindërit e Agonit po kërkojnë drejtësi për djalin, e për çka paralajmëruan edhe padi ndaj Qeverisë Kurti, qeveri kjo e cila udhëhiqte me vendin atë kohë kur ndodhi rasti.

Një nga deputetët më të zëshëm dhe që ka kërkuar vazhdimësi drejtësi për këtë rast ka qenë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, sidomos në Komisionin Hetimor që ishte ngritur për ta zbardhur rastin e të riut nga Gjilani.

Reporteri.net ka kontaktuar me deputetin Haxhiu për ta pyetur lidhur me paralajmërimin e padisë që ka bërë babai i Agonit ndaj ish qeverisë Kurti.

Haxhiu kritikon Prokurorinë e Shtetit duke thënë se duhet të ishte më efikase në zbardhjen e rastit në mënyrë që mos të vije puna që prindërit e të ndjerit të paralajmërojnë padi.

“Veprimet e Qeverisë Kurti kufizimi i lëvizjes dhe themelimi i Qendrës Karantinë nuk kanë pas bazë ligjore dhe në së paku dy raste Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut dhe shkelje të ligjit nga Qeveria Kurti. Agon Musliu ka vdekur në Qendrën Karantinë në dorën e Shtetit dhe përgjegjësia për këtë bie mbi bartësit institucional të Qeverisë Kurti. Prokuroria e Kosovës në këtë rast do të duhej të ishte më efikase dhe përgjegjësit të i vendoste në bankën e të akuzuarave, që mos të ketë nevojë që prindërit e Agon Musliut me bërë padi, por Prokuroria me bërë punën që i takon në këtë rast”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka thënë se puna e Komisionit Hetimor është ndërprerë, por shprehet i bindur se puna e këtij komisioni do të vazhdojë në mandatin e ri.

“Puna e Komisionit Hetimor është ndërprerë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por jam i bindur se në mandatin e ri do të ketë një vazhdim të këtij hetimi, jo dhe për të gjitha keqpërdorimet gjatë pandemisë të dy Qeverive Kurti e Hoti”, ka deklaruar Haxhiu.