Flet babai i kosovarit që i’u grabit vetura nën kërcënimin e kallashnikovëve në Shqipëri

Meriton Ahmetaj, 21 vjeç, nga fshati Korishë i komunës së Prizrenit ka rënë pre e grabitësve. Ai ka qenë duke u kthyer nga Mali i Zi, kur rreth orës 22:00 në Milot, dy automjete, njëra prej të cilave e pajisur me sirenë policie i janë venë në ndjekje.

Babai i tij, Rrahman Ahmetaj, ka rrëfyer rastin.

“Kur kanë ardhur në Milot janë ndal me marrë pije afër një marketi dhe një makinë me targa italiane i ka përcjell. Në momentin që kanë kaluar 5-6 kilometra prej vendit ku janë furnizuar me pije iu është ndez një dritë vezulluese e ngjashme me atë të policisë. Meritoni ka qenë shofer i makinës dhe thotë se ka qenë zonë e kufizuar në 60 kmh e ky ka zhvilluar shpejtësi 80 dhe ka menduar se janë policia e shtetit”, tregoi ai për KlanKosovën.

“Momentin që është ndal Meritoni ajo makina që ka qenë më drita të policisë iu është bashkëngjit nga prapa veturës kurse makina tjetër ia ka blloku pjesën e përparme të makinës dhe kanë filluar të shtënat me kallashnikov dhe i kanë bastis me armë në kokë. Të gjitha pajisjet ua kanë marrë”, shpjegoi ai.

“Kanë vazhduar rrugën për një kilometër me vrap drejt Milotit ku ka pasur qarkullim më të dendur dhe kanë has në patrol të policisë e cila i ka cu në komisarat në Laç”, shtoi ai.