Prishtina e ka humbur kreun e Ipko Superligës së Kosovës, pasi u mposht 2-0 nga Flamurtari me një lojtar më pak të hënën në kryeqytet.

Flamurtari, edhe pse me një lojtar më pak pothuajse gjatë gjithë takimit, e tronditi Prishtinën duke e mundur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, dhe ia shtoi zhgënjimin një javë pas eliminimit nga Kupa e Kosovës.

Prishtina po vinte në këtë takim, të vlefshëm për javën e 18-të në ligën elitare kosovare, pas një jave zhgënjyese sepse u eliminua nga Kupa e Kosovës në penallti, në fazën çerekfinale kundër Trepçës ’89. Prishtina tani e humb edhe vendin e parë në renditje, me Feronikelin që kryeson pas fitores ndaj Lirisë.

Edhe pse kuqezinjtë e nisen keq takimin duke mbetur me një lojtar më pak në fushë, pasi Quansah mori direkt të kuqin në minutën e 22-të, morali i tyre nuk ra.

Alban Shillova realizoi për 1:0 pas gjysmë ore lojë.

Vetëm një çerek ore më vonë, Egzon Krasniqi shënoi për ta dyfishuar rezultatin, duke i dërguar skuadrat në pushim mes pjesëve me rezultat tronditës.

Tifozët ultras të Prishtinës, Plisat, e fishkëllyen skuadrën pas përfundimit të pjesës së parë.

Bardhekaltrit dominuan dukshëm në pjesën e dytë dhe krijuan mjaft shumë. Por, përpjekjet e tyre për rikthim ishin të pashpresa.

Prishtina renditen e dyta me 40 pikë, dy më pak se lideri i ri dhe rivali për titull, Feronikeli.

Me këtë triumf, Flamurtari ngrihet në pozitën e gjashtë me 25 pikë.

Në anën tjetër Feronikeli e ka marrë kreun e Ipko Superligës së Kosovës, pas triumfit bindes kundër Lirisë të hënën në Prizren.

Pjesa e parë në stadiumin “Përparim Thaqi” në Prizren qe e mjaftueshme për vizitorët nga Drenasi për t’i marrë tri pikë kundër Lirisë.

Kastriot Rexha realizoi dy herë për triumfin e Feronikelit. Shtatë minuta brenda takimit, Rexha realizoi falë një asisti nga Përparim Islami.

Dy minuta para fundit të pjesës së parë, Rexha e dyfishoi epërsinë dhe i siguroi kreun Feronikelit.

Feronikeli është lider i ri i Superligës me 42 pikë, dy më shumë se Prishtina.

Liria, ndërkohë, renditet e 10-ta me 19 pikë, tri më pak se Trepça ’89 në vendin e nëntë.