Fjalimi që shqetësoi deputetët e Vuçiqit: “Belivuku, anëtari i shquar i SNS-së, di shumë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në Serbi, Sërgjan Milivojeviq tha sot në seancën e Kuvendit të Serbisë se pret që presidenti serb Aleksandar Vuçiq të japë dorëheqjen pas dëshmisë së Veljko Belivuk për lidhjet mes mafias dhe pushtetit.

“Pas dëshmisë tronditëse të djeshme të Veljko Belivuk, anëtarit të shquar të SNS-së (partisë së Vuçiqit), për lidhjet e frikshme dhe tronditëse të këtij klani kriminal me majat e pushtetit, e pyes presidentin Aleksandar Vuçiq se kur do të japë dorëheqjen dhe pse nuk ka dhënë ende dorëheqjen”, tha ai.

“Këtu kanë kaluar 24 orë dhe ende nuk ka asnjë reagim. Mos na thuaj se ka të drejtë të mbrohet dhe të gënjejë. I njëjti anëtar i klanit, Ivan Laliq, iu dha statusi i dëshmitarit bashkëpunues në shkëmbim  të 18 vjetëve burg. Mos na thoni nga prokuroria se është e drejtë e të pandehurit që të mbrohet si të dojë, sepse kur Predrag Koluvija ia ka drejtuar gishtin policëve trima Sllobodan Milenkoviq dhe Dushan Mitiq, ata policët i kanë thirrur tri herë për poligraf. E pyes prokurorinë se kur do ta shqyrtojnë dëshminë e Veljko Belivuk”, shtoi Milivojeviq.

Ai pyeti deputetët nëse do ta mbështesnin kërkesën për formimin e një komisioni hetimor që do të hetonte veprimtaritë kriminale politike të klanit Veljko Belivuk.

“Kjo dëshmi, në të cilën ai përmendi zyrtarët më të lartë shtetërorë, tregon një lidhje të qartë mes krimit të organizuar dhe majës së shtetit. Përmenden Darko Glishiq, Aleksandar Vulin dhe vetë Aleksandar Vuçiq, të cilit i drejtohet si shef. Është veçanërisht e rëndësishme që prokuroria të ndihmojë në hetimin e rolit të këtij klani në shkatërrimin e demonstratave të opozitës, frikësimin e votuesve në zgjedhjet lokale dhe prishjet në Savamala. Për të hetuar konkretisht se çfarë di Veljko Belivuk për dhunën në inaugurimin e Aleksandar Vuçiqit në vitin 2017, dhe veçanërisht insistoj që prokuroria të marrë në pyetje Veljko Belivuk për të gjitha rrethanat e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ai tha se di shumë për të. Ne nuk do të heqim dorë nga pyetja se kush e vrau Oliver Ivanoviqin, sado e pakëndshme të jetë për ju dhe sado të shikoni në dysheme. Një ditë do të duhet të përballeni me të vërtetën”, ka theksuar Milivojeviq. /Ballkani.info/