Departamenti i Thesarit të SHBA-së, futi në listë të sanksioneve liderët e krimit të organizuar në veri të Kosovës, Zvnoko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq. Pas kësaj, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se këto grupe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarët publikë, në mënyrë që t’i ikin përgjegjësisë penale.

Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja i ka goditur rrjetet e korrupsionit në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.

E lidhur me këtë zhvillim, Antony Blinken në një deklaratë zyrtare tha se këto grupe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë publikë në mënyrë që të mbrojnë vetën nga ndjejka penale.

“Krimi i organizuar transnacional është destabilizues, me këto grupe që shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë publikë për të mbrojtur veten nga ndjekja penale dhe përgjegjësia”, thotë Anthony Blinken.

Në komunikatën e kësaj zyre, ndër të tjera thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.

Zvnoko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq përveç aktivitetit në veri të Kosovës, aktivë kanë qenë edhe në Serbi, ku shteti atje ju ka ofruar mbrojtje.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si të shkëlqyeshëm vendimin e ShBA-së për vënie të sanksioneve kundër grupeve të organizuara kriminale në Kosovë. Mirëpo ai vetë sa ishte kryeministër i Kosovës e kishte pritur Radojqiqin në zyrën e tij para tri viteve, shkruan Gazeta Express.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e krerëve të krimit të organizuar në Kosovë është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Mirëpo Haradinaj e kishte pritur Radojqiqin në zyrën e tij tre vite më parë, në kohën kur ky i pari ishte kryeministër. Atëherë Radojqiq ishte në zyrën e Haradinajt së bashku me kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Në komunikatën e lëshuar para tri viteve për këtë takim, ishte thënë se “është diskutuar në përgjithësi për situatën në Kosovë me një theks të veçantë për aspektet e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”.

Për takimin në fjalë Haradinaj kishte marrë kritika nga opozita e atëhershme.