Fiton Chelsea me përmbysje, merr kreun e Premier Ligës

Chelsea ka mundur me rezultat 3-1 Leeds United për të marrë kreun e Premier Ligës s’paku deri nesër kur luajnë Tottenham dhe Liverpool. Leeds ishin të parët që kaluan në epërsi në këtë ndeshje por Chelsea arriti që ta përmbys rezultatin dhe në fund t’i ndal tri pikë në Stamford Bridge

Chelsea i ka gëzuar tifozët e vetë, të cilët u kthyen në Stamford Bridge pas tetë muajve duke fituar me rezultat 3-1 kundër Leeds United.

Leeds e nisi shumë mirë këtë ndeshje ku shënoi që në minutën e 4 me anë të sulmuesit të talentuar, Patrick Bamford.

Megjithatë pas golit, Chelsea u ngjallë menjëherë por Timo Werner humbi një shansë ideale për të shënuar gol në minutën e 9-të, ku nga një largësi 1 metër goditi shtyllën.

Megjithatë, goli i barazimit nuk do të vonohej dhe atë do ta shënonte Giroud në minutën e 27-të.

Ky është goli i pestë i francezit i shënuar brenda javës, pasi shënoi 4 gola kundër Sevillës në Ligën e Kampionëve.

Në pjesën e dytë prapë ishte Chelsea që vazhdonte me sulmet dhe golin e epërsisë e arriti në minutën e 61-të.

Ishte mbrojtësi Kurt Zouma që shënoi gol me kokë pas një ndërprerje.

Chelsea golin e tretë do ta shënonte në minutën e tretë shtesë të ndeshjes dhe atë e shënoi Christian Pulisic.

Ky gol doli të jetë edhe goli i fitores për Chelsea që tani pas 11 xhirove ngjitet në vendin e parë të Premier Ligës angleze me 22 pikë, një më shumë se Tottenham dhe Liverpool që janë në vendin e dytë, përkatësisht të tretë.

Tottenham dhe Liverpool e kanë mundësinë që të kryesojnë përsëri pasi që nesër Tottenham pret Arsenalin në shtëpi kurse Liverpool pret në shtëpi Wolvesin.