Fitojnë Ballkani e Trepça ‘89

Ballkani dhe Trepça ’89, kanë shënuar fitore identike në ndeshjet e xhiros së 23 të Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra e Ballkanit e mposhti Drenicën të premten në Suharekë me rezultatin 2:1 derisa Trepça ’89 me rezultatin e njëjtë, triumfoi në udhëtim kundër Besës së Pejës.

Arbër Hoxha (42’) e Bajram Jashanica (48’) shënuan për Ballkanin derisa golin e nderit për Drenicën e realizoi Dardan Rogova (86’). Me këtë fitore, Ballkani kthehet përkohësisht në pozitën e parë në tabelë me 48 pikë të mbledhura dhe një ndeshje më shumë të zhvilluar se Drita. Ndërsa, Drenica mbetet e parafundit në tabelë me 24 pikë.

Me golat e Robert Rrahmanit (24’) e Muharrem Jasharit (63’), Trepça ’89 mori tri pikë të vlefshme ndaj Besës së Pejës, ekip për të cilin shënoi gol Diar Halili (57’). Besa mbetet në pozitën e fundit në tabelë me shtatë pikë derisa Trepça ’89 është e pesta me 31 pikë të mbledhura.