Fiorentina e shkatërron Romën 7-1 dhe kalon në gjysmëfinale (VIDEO)

Fiorentina ka shpartalluar 7-1 Romën në Artemio Franchi duke siguruar kalimin në gjysmëfinalen e Coppa Italia.

Ishte një tjetër ndeshje spektakolare e djemve të talentuar të Stefano Pioli-t, të cilët kanë shkatërruar kundërshtarin falë Federico Chiesa-s dhe saktësisë përpara portës.

Chiesa ka shënuar një dopietë brenda 18 minutave të para duke i dhënë një goditje të rëndë miqve.

Kolarov u jep shpresë dhe dukej sikur ndeshja do të ishte e luftuar deri në fund, por Muriel, Benassi, Chiesa përsëri dhe Giovanni Simeone (2) kanë shkruar fatin e këtij takimi.

Ishte një ndeshje më e lehtë se sa mendohej. Megjithatë konfirmohet momenti i keq që po kalon Roma dhe tani trajneri Eusebio Di Francesco rrezikon seriozisht vendin e punës.

Kjo nuk është hera e parë që Roma mposhtet 7-1, ashtu e ka pësuar ndaj Manchester United dhe Bayern Munich në Champions League.

Ndërkohë Fiorentina do të ndeshet në gjysmëfinale me fituesin e sfidës Atalanta-Juventus.