Rusia nuk po kërkon më “denazifikimin” e Ukrainës dhe është e gatshme ta lejojë Kievin të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian me kusht që të mbetet ushtarakisht neutral.
Kështu pohuan katër persona që janë të përfshirë me bisedimet e paqes ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, të cilat pritet të vazhdojnë sot, më 29 mars, në Stamboll, raporton “Financial Times”.
Moska dhe Kievi raportohet se po negociojnë armëpushimin si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme që do të përfshinte tërheqjen e Ukrainës nga anëtarësimi në NATO në këmbim të garancive të sigurisë dhe perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian, thonë këto burime për gazetën.
Draft dokumenti i armëpushimit nuk përmend tre kërkesat kryesore fillestare të Rusisë – “denazifikimin” dhe “çmilitarizimin” e Ukrainës dhe mbrojtjen ligjore të gjuhës ruse në Ukrainë, shtuan burimet.
Përfaqësuesit e të dyja palëve do të takohen sot në Stamboll në raundin e katërt të bisedimeve të paqes që synojnë t’i japin fund pushtimit të Ukrainës të nisur nga presidenti rus Vladimir Putin.
Rusia thuhet se është e gatshme të bëjë lëshime, sepse mangësitë operacionale të Rusisë dhe rezistenca e Ukrainës më e fortë se sa pritej, e kanë ndalur kryesisht betejën e saj njëmujore.
Por Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë mbeten skeptikë për qëllimet e Putinit dhe janë të shqetësuar se presidenti rus mund t’i përdorë bisedimet si një perde tymi për të rinovuar forcat e tij të rraskapitura dhe për të planifikuar një ofensivë të re.







