Gazeta prestigjioze “Financial Times” në një artikull kushtuar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe lojës së tij të shumëfisht në të qëndruarit edhe me Perëndimin demokratik dhe Lindjen autokratike, ka rrokur edhe mbi çështjet e (mos)marrëveshjeve Kosovë-Serbi, ku shkruan edhe se administrata Biden “janë të frustruar me (Kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurtin”.

FT i kushton një pjesë të madhe të shkrimit eventualitetit (të favorshëm për Serbinë) të ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump dhe ish-emisarit të tij për rajonin Richard Grenell “i cili ka bërë të qartë se nuk ka kohë për qëndrimet e Albin Krutit”.

“Vitin e kaluar, zyrtarët e BE-së dhe administrata e Bidenit gjithashtu janë frustruar me Kurtin, duke e akuzuar atë si të pakompromis dhe duke minuar shpresën për një zgjidhje”, shkruan gazeta.

“Zyrtarët kosovarë dhe kundërshtarët vendas shqetësohen se një administratë e dytë Trump do të ishte e butë ndaj Vuçiqit. Aleatët e Grenellit përgjigjen duke treguar se si ai, në të kaluarën, i ka ushtruar presion Vuçiqit për t’u larguar nga Moska dhe e kanë shtyrë atë të diversifikojë furnizimin e tij me energji nga Rusia, e cila siguron pjesën më të madhe të gazit të Serbisë”, vijon më tej artikulli.