Finalja e dytë dhe vendimtare e Copa Libertadores mes River Plates dhe Boca Juniorsit është vendosur të zhvillohet në stadiumin e Real Madridit, “Santiago Bernabeu”.
Derbi mes dy skuadrave të Buenos Airesit u planifikua të zhvillohej javën e kaluar por disa tifozë të Riverit sulmuan autobusin e futbollistëve dhe stafit të Bocas duke e pamundësuar mbarëvajtjen e super derbit.
Ndërsa tashmë është caktuar që “Superclasico” të luhet në “Santiago Bernabeu” me 9 dhjetor në orën 20:30, ndërsa tifozët e të dyja skuadrave do të ndahen në mënyrë të barabartë.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez siguroi se vendi i tij është i gatshëm ta organizojë ndeshjen më të rëndësishme në bazë klubesh për kontinentin e Amerikës së Jugut.
Përballja e parë e zhvilluar në stadiumin e Boca Juniorsit pati përfunduar me rezultat të barabartë 2-2, ndërsa vlen të përmendet se në Copa Libertadores nuk vlen rregulli i golit të shënuar në fushën mysafire.







