Fillon fushata zgjedhore, BDI garon me idenë për kryeministër shqiptar

Partia shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim, fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e ka filluar në Prespë, qytet ky në jug të Maqedonisë së Veriut, duke vënë theksin në idenë e madhe, siç e kanë quajtur, për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar, përmes promovimit të Naser Ziberit si kandidat për këtë post.

Kandidati për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi, në konventën promovuese të Bashkimit Demokratik për Integrim në Prespë, të mërkurën ka theksuar se në këtë moment “i gjithë vendi po flet, por jo vetëm vendi, po flet rajoni, po flet komuniteti ndërkombëtar për një ide e cila mund të behet realitet”.

“I thash po kandidaturës (për kryeministër shqiptar) se kjo ide është më e madhe se sa unë, kjo ide është më e madhe se vetë BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim). Unë nuk do ta kisha pranuar këtë propozim sikur të mos bindesha se ky është një projekt kombëtar. Sikur të mos bindesha se përmes kësaj ideje do ta faktorizojmë popullin shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe më tepër”.

“Këto janë arsyet se pse jam i gatshëm dhe përgjegjës të angazhohem në këtë kauzë, të kandidojë për kryeministër në emër të komunitetit shqiptar të Maqedonisë së Veriut“, ka theksuar Ziberi.

Por, paraprakisht, duke komentuar idenë e Bashkimit Demokratik për Integrim për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi ish-deputet i partisë për Prosperitet Demokratik e cila parti është shuar, për Radion Evropa e Lirë tha se kjo ide që është promovuar si ide e madhe që duhet mbështetur nga të gjithë shqiptarët në asnjë mënyre nuk është ide e madhe që do të bëjë kthesë për sa i përket interesave të votuesve shqiptarë.

“Unë mendoj se ide të mëdha Maqedonia nuk ka në dispozicion dhe ofertat e ideve të mëdha kanë mbaruar, siç ishin euro-integrimet, zgjedhja e kontestit të emrit. Oferta, slogani për kryeministër shqiptar nuk është ide e madhe, e dhe ajo nuk mund të jetë atraktive për të bërë ndonjë kthesë radikale në dispononim e votuesit dhe sidomos votuesit shqiptar, prandaj nuk pres ndonjë kthesë të rëndësishme në këtë drejtim”.

“Përkundrazi, një numër i madh i qytetarëve veç më e kanë të formuar bindjen e tyre, aq më tepër kur kjo fushatë zgjedhore nuk do të jetë në stilin e tubimeve, tribunave, mitingjeve të mëdha ku do të mund të krijohet një dispononim momental për të animuar votuesin për zgjedhje”, kishte deklaruar vetëm katër ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi.

Përderisa koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nën moton “tash është koha” konventën promovuese e kanë caktuar për të enjten në Tetovë.

Partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë me sloganin “Shkojmë në fitore” fushatën e ka filluar duke vendosur theksin në të arriturat e kësaj partie gjatë qeverisjes 3-vjeçare, përkatësisht anëtarësimet e vendit në NATO dhe procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, pa lënë anash dhe rritjen e standardit jetësor.

Përderisa partia maqedonase VMRO DPMNE në zgjedhje futet me sloganin për “ripërtërije” pasi siç theksojnë shteti gjatë qeverisjes së socialdemokrateve ka humbur dinjitetin si në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtarë. VMRO-DPMNE në fokus të fushatës zgjedhore ka vendosur realizimin e ë shumë projekteve kapitale, uljen e papunësisë dhe ripërtëritjen ekonomike.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, me rastin e fillimit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mërkurën u ka bërë thirrje të gjitha palëve që janë futur në garë të angazhohen për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve dhe kritereve të larta, duke e pasur parasysh gjithnjë perspektivën euroatlantike të shtetit.

“Pres të gjitha partitë politike të organizojnë fushatë në të cilën pjesëmarrja do të jetë e sigurt për të gjithë, edhe për kandidatët, edhe për qytetarët. Pres nga të gjitha partitë politike fushatë dinjitoze, me nivel të lartë të kulturës politike, pa diskreditime”, ka theksuar presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.