Fillon basketbolli “pandemik”, me disa komoditete

Michael Baiamonte nuk ishte në “Walt Disney World” të enjten. Njoftuesi publik për ekipin nga NBA, Miami Heat, nuk ishte as në ndërtesë për debutimin e skuadrës së tij për rifillimin e sezonit. Por, zëri i tij ishte.

Tingulli i tij, që zhurmon një nga frazat e tij të famshme – “ngrihuni në këmbë dhe bëni pak zhurmë” – e dëgjua në skenë derisa Miami po bëhej gati për ndeshjen e parë pas një pauze për shkak të përhapjes së koronavirusit. Gjithçka ishte shumë e çuditshme për shkak se në palestër nuk kishte tifozë për t’u ngritur nga karriget e tyre, siç zakonisht bëjnë kur Miami luan në shtëpi. Mirëpo, ky është basketbolli në kohë pandemie apo në NBA siç po e quajnë “Basketbolli pandemik”.

NBA ka vendosur që edicioni i pezulluar të rifillojë, por që të gjitha ndeshjet do të luhen në një vend – kompleksin “Walt Disney World” në Florida – ku tashmë janë vendosur të gjitha skuadrat. Mirëpo, para se edicioni në NBA të rifillojë më 31 korrik, ku do të përcaktohen ekipet që do të marrin pjesë në plejof, skuadrave i është dhënë një mundësi që përgjatë disa ditëve të luajnë ndeshje miqësore. Të enjten, u zhvilluan katër miqësoret e para prej 33 sosh që do të luhen deri më datën 28 korrik. Ekipet do t’i kenë mundësinë që t’i zhvillojnë nga tri miqësore përpara se të rifillojë kampionati i pezulluar, ku skuadrat do t’i luajnë nga tetë lojë të sezonit të rregullt para se të futen në garat e plejofit.

“Ndeshjet janë ndeshje, qofshin ata edhe miqësore”, ka thënë trajneri i Los Angeles Clippers, Doc Rivers. “Sapo të futemi në parket, lojtarët e kanë parasysh që duhet të japin më të mirën nga vetja edhe pse rrethanat nuk janë normale si më parë”.

Rivers dhe Clippersat luajtën ndeshjen e parë në këtë kohë pandemie në NBA, duke e mposhtur Orlandon me rezultatin 99:90, në praninë e 200 personave ku përfshiheshin lojtarët, shtabet e ekipeve dhe punonjësit e NBA-së. Pas kësaj ndeshjeje, u zhvilluan edhe tri miqësore. Denveri triumfoi ndaj Washingtonit (89:82), New Orleansi e mposhti Brooklynin (99:68), si dhe Miami ishte më i fortë se Sacramento duke triumfuar me shifrat 104:98.

“Unë pas ndeshjes i thashë edhe Riversit, se u ndjeva rehat dhe ishte shumë më mirë se që e kisha paramenduar. Personalisht, jam i bindur që skuadrat mund të përshtaten për të luajtur në këtë mjedis unik edhe pse nuk ka tifozë. Por, skuadra që ka mentalitetin e duhur dhe lojtarët më të përqendruar, do të ketë një avantazh të madh”, pranoi trajneri i Orlandos, Steve Clifford.

Megjithatë, në këto ndeshje u konfirmuan edhe ndryshimet e reja kur të rifillojnë ndeshjet e sezonit të rregullt në fund të këtij muaji. Djemtë e topave ishin ata që vendosnin karriget për ekipet gjatë “time-outit”, sepse lojtarët që ishin në bankinë nuk duhet të zhvendosen dhe secili prej tyre e kishte një karrocë portokalli me pijen “Gatorade” dhe emrin në vendin e caktuar se ku duhej të ulet. Dhe, ndërsa disa lojtarë morën pjesë në shtrëngime duarsh, disa njerëz në fushë nuk pranuan – kur organizatori i Orlandos, Michael Carter-Williams, i ofroi një përshëndetje me grusht për arbitrin Jacyn Goble, por ai refuzoi një gjë të tillë duke e mbajtur distancën sociale.

“Për mua, është thjesht basketboll”, tha organizatori i New Orleansit, E’Twaun Moore. “Unë vetëm këtë lojë e kam luajtur, kështu që për mua nuk ka shumë rëndësi nëse ka apo nuk ka tifozë. Kështu që, thjesht ishte kënaqësi të luaja dhe para ndeshjes iu thashë të tjerëve që duhet të argëtohemi pas një pushimi të stërzgjatur dhe të përshtatemi me kushtet”.

Një pjesë e organizimit këtu bën thirrje për ekipet e caktuara në shtëpi, siç janë Miami Heat ku në ndeshjen e parë miqësore, shfrytëzuan disa komoditete si vendas. Kështu që, lojtarët e Miamit mbanin uniforma të bardha, kishin logon e tyre dhe dëgjonin zërin e Baiamontes sikurse të luanin në palestrën e tyre. Në fund, këto përparësi bënë që Miami të nisë me fitore.

“Doli që ishte një ngjarje e madhe. Në fillim kam menduar se do të ishte e frikshme, por u binda se mund të luajmë edhe në këto kushte. Shpresoj që ekipi të jetë plotësisht i gatshëm për rifillimin e sezonit”, u shpreh trajneri i Miamit, Erik Spoelstra.

Megjithatë, ajo që më së shumti ra në sy gjatë këtyre katër miqësoreve të para ishte përkrahja e lojtarëve në stol për ata që luanin në palestër. Në fakt, basketbollistët do të jenë të detyruar ta përkrahin njëri-tjetrin deri në fund të këtij edicioni për shkak të mungesës së tifozëve. Edhe trajnerët pranuan se kjo është mënyra e vetme për ta mbajtur ekipin të motivuar gjatë ndeshjes.

“Ne kemi biseduar me lojtarët dhe kemi ardhur në përfundim për të sjellë energjinë e tifozëve gjatë ndeshjes, duke përkrahur njëri-tjetrin. Kjo është shumë e rëndësishme për lojtarët, të cilët janë mësuar të luajnë përpara turmave të mëdha”, shtoi trajneri Clifford.

Ndërkohë, trajneri i Clippersave, Rivers, pret zhurmë më të madhe prej lojtarëve të tij në ndeshjet e tjera.

“Duhet të jemi më të zhurmshëm. Në mungesë të tifozëve, lojtarët duhet të jenë më të zëshëm dhe më inkurajues. Pres brohoritje edhe më të mëdha në ndeshjet e tjera, sepse kemi nevojë”, shtoi ai.