Paratë e nevojshme për ta filluar kërkimin për trupin e pilotit të zhdukur, David Ibbotson, janë grumbulluar nga familja e këtij të fundit.

Ibbotson është i zhdukur që nga 21 janari, kur ishte rrëzuar aeroplani, të cilin po e drejtonte ai, mbi Kanalin Anglez. Ai po e bartte futbollistin Emiliano Sala, trupi i së cilit veçse është gjetur.

Edhe pse trupi i Salas ishte gjetur brenda rrënojave të aeroplanit, në fund të detit, piloti ende mbetet i zhdukur dhe Cristian Martin i Fox Sports ka raportuar se tashmë janë grumbulluar 400 mijë dollarët e nevojshëm për ta vazhduar kërkimin.

Familja e Ibbotosnit e kishte hapur një faqe për dhurimin e donacioneve në mënyrë që të rifillojë kërkimi për ta gjetur pilotin. Kërkimet ishin ndalur menjëherë pasi ishte gjetur trupi i Salas, pasi që ky kërkim ishte financuar nga familja e futbollistit.

Piper Malibu, lloji i aeroplanit të fundosur në det, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, përderisa me të po udhëtonte Sala dhe piloti David Ibbotson. Policia Guernsey i kishte ndalur kërkimet tri ditë më vonë, më 24 janar, pasi që nuk kishin gjetur asgjë gjatë kërkimeve.

Më vonë kishte filluar një kërkim privat, i cili u mbështet nga donacionet private. Departamenti për Hetimet e Aksidenteve Ajrore kishte thënë se një trup kishte qenë i dukshëm në rrënojat e aeroplanit, i cili ishte në fund të detit afër ishullit Guernsey.

Pas disa përpjekjeve, trupi u nxjerr me sukses nga ato rrënoja dhe, më 7 shkurt, u konfirmua se është i lojtarit që sapo ishte transferuar në Premierligë te Cardiff City për 17 milionë euro, Emiliano Salas.