Asamblistja e LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fiknete Bejta, thotë se pas përpjekjeve të dështuara të Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar miratimin e buxhetit të Prishtinës për vitin 2025 në Kuvendin Komunal gjatë vjeshtës së kaluar, tani po përballemi me një pengesë të re: Ministria e Financave ende nuk ka alokuar fondet e miratuara, duke vonuar zbatimin e projekteve jetike për qytetin tonë.

“Ky buxhet, i cili kap vlerën prej 128 milionë eurosh, është rezultat i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, ku janë marrë parasysh kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Ai përfshin investime të rëndësishme në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe shërbime publike, që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës në Kryeqytet”, ka shkruar profesoresha Bejta.

Sipas saj, fatkeqësisht, përveç bllokimit të buxhetit, jemi dëshmitarë të një tendence shqetësuese për të penguar zhvillimin e projekteve strategjike infrastrukturore në Prishtinë.

“Tentativa për të bllokuar ndërtimin e rrugës A, sheshit Xhorxh Bush, platformës ndërlidhëse të Arbërisë me Pallatin e Rinisë, nënkalimin Agim Ramadani e projekt të tjera të rëndësishme, nuk janë vetëm veprime kundër zhvillimit urban, por edhe pengesa të drejtpërdrejta për mirëqenien e qytetarëve dhe për funksionimin e përditshëm të qytetit. Është e papranueshme që, në vend që të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve, të përballemi me veprime që synojnë bllokimin e zhvillimit të Kryeqytetit. Këto pengesa jo vetëm që cenojnë funksionimin e institucioneve lokale, por edhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në proceset demokratike dhe në institucionet e tyre”, ka shkruar ajo. /Ballkani.info/