Shtëpia e futbollit

FIFA përgatit Kodin e ri të Disiplinës, dënohen rëndë ofendimet raciste

FIFA ka vendosur të reagojë me “dorë të hekurt” ndaj shfaqjeve raciste në stadiumet e futbollit, gjë që shfaqet qartë në Kodin e ri të Disiplinës, që pritet të aplikohet që nga kjo e hënë.

Ndër masat e marra, janë pezullimi me 10 ndeshje, për secilin futbollist që do të gjendet fajtor për sjellje raciste në fushën e lojës dhe humbje të ndeshjes në tavolinë, për skuadrat, tifozëritë e të cilave lëshojnë thirrje të kësaj natyre.

Në rregulloren e re thuhet se: Nëse një garë mbyllet para kohe nga gjyqtari, për shkak të thirrjeve apo shfaqjeve të ndryshme raciste nga ana e tifozërisë së një skuadre, atëherë sfida deklarohet e humbur.

Gjithashtu theksohet se para vendimit për të mbyllur para kohe një ndeshje, gjyqtari duhet të ndjekë procedurën në tre faza, e para të kërkojë një thirrje në altoparlant për ndaljen e shfaqjeve raciste, e dyta të ndërpresë ndeshjen për disa sekonda deri në ndaljen e fenomeneve raciste dhe e treta, të ndërpresë përfundimisht ndeshjen.

Në Kodin e ri të Disiplinës përkufizohet qartë edhe se çfarë do të kuptohet me shfaqje raciste, duke u cilësuar e tillë çdo diskriminim për shkak të ngjyrës së lëkurës, origjinës etnike, gjeografike apo sociale, seksit dhe orientimit seksual, gjuha, feja, opinionet politike dhe çdo shfaqje e ngjashme.

Vlen të theksohet se Kodi i ri i Disiplinës, i miratuar nga FIFA, do të fillojë të aplikohet vetëm në aktivitetet e organizuara nga kjo e fundit, duke nisur me eliminatoret e Botërorit 2022, ndërsa në ditët në vijim rregullorja e re mund të implementohet nga UEFA, por edhe liga të ndryshme europiane e botërore.