FIFA nuk do të hetojë Zvicrën dhe Granit Xhakën, Serbinë po

FIFA do të nisë procedura kundër Federatës Serbe të Futbollit. Kjo pasi mund të ketë pasur “shkelje të mundshme” të tre neneve të kodit disiplinor të FIFA-s gjatë ndeshjes së Kupës së Botës ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës.

E njëjta nuk vlen edhe për Zvicrën dhe kapitenin e saj, shqiptarin Granit Xhaka. Kështu ka raportuar të hënën mediumi zviceran “Blick.ch”, transmeton Demokracia.com.

“Sipas informacioneve të Blick, nuk do të ketë asnjë procedim ndaj Zvicrës apo kapitenit Granit Xhaka”, ka njoftuar mediumi i madh zviceran.

Granit Xhaka u raportua se do të hetohet nga FIFA për shkak të fanellës së Jasharit gjatë festës së fitores kundër Serbisë (2:3).

Xhaka kishte mohuar se kishte bërë një veprim politik, përveç se e kishte zgjedhur fanellën e Ardon Jasharit, lojtarit tjetër shqiptar që përfaqëson Zvicrën këtë Botëror në mënyrë për ta promovuar si lojtar të ri.