FIFA kërkon kthimin e dy milionë frangave nga Blatter dhe Platini

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka ndërmarrë një veprim ligjor kundër ish presidentit, Joseph Blatter dhe ish zëvendës presidentit Michel Platini për të kthyer rreth dy milionë frangat që federata pretendon se i pagoi padrejtësisht në vitin 2011 Platinit.

“FIFA sot ka paraqitur pretendime në gjykatën zvicerane përkatëse kundër ish presidentit të FIFA-s, Joseph Blatter dhe ish zëvendës presidentit të FIFA-s, Michel Platini, duke kërkuar kthimin e 2 milionë frangave zvicerane, të paguara padrejtësisht Platinit në vitin 2011”, theksoi FIFA.

FIFA po ashtu bëri të ditur se ky veprim pason rezolutën unanime të miratuar së fundmi nga Komiteti i udhëheqjes së federatës, në të cilën u theksua se “FIFA është e detyruar të përpiqet për kthimin e fondeve të paguara në mënyrë të paligjshme nga një ish-zyrtar tjetër”.

“Po ashtu edhe Gjykata e Lartë e Zvicrës ka konfirmuar se kjo dhuratë prej dy milionë franga zvicerane duhet të shihet si një pagesë e padrejtë”, theksoi FIFA.

FIFA kaloi në një krizë në maj të vitit 2015 kur policia bastisi hotelin “Baur au Lac” në Cyrih të Zvicrës për të arrestuar anëtarët e FIFA-s në një hetim korrupsioni që tronditi sportin.

Kreu i pezulluar i FIFA-s, Blatter, po ashtu është nën hetime nga autoritetet zvicerane.

Në nëntor të vitit 2015, Komiteti i Etikës i FIFA-s filloi procedurat zyrtare kundër Blatter dhe Platini.

Procedimet ndaj dy ish zyrtarëve kanë të bëjnë kryesisht me një pagesë prej dy milionë dollarësh të transferuara në shkurt të vitit 2011 nga FIFA te Platini