FIFA injoron klubet e mëdha të Europës, ndryshon Botërorin për Klube

FIFA ka miratuar zgjerimin e Botërorit për Klube me 24 skuadra duke filluar nga viti 2021 pavarësisht se klubet e mëdha të Europës kanë thënë se do ta bojkotojnë kompeticionin.

Formati i ri pritet të përfshijë tetë skuadra nga Europa.

Do të zhvillohet çdo katër vite nga qershori në korrik në periudhën që aktualisht zhvillohet Kupa e Konfedratave. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se ndihej i lumtur pasi Këshilli i FIFA-s mbështeti planin e tij këtë të premte.

“Tani bota do të shohë një Botëror për Klube të vërtetë, ku tifozët do të kenë mundësinë të ndjekin ekipet më të mira në planet që sfidohen për t’u shpallur kampionë të vërtetë të botës”, ka thënë Infantino.

Botërori për klube zhvillohet aktualisht çdo dhjetor dhe në të marrin pjesë shtatë skuadra nga gjashtë konfederata. Shoqata e Klubeve Europiane (ECA) ka bërë të ditur se çdo kompeticion i ri duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje për kalendarin e ndeshjeve ndërkombëtare që do të zhvillohen pas 2024-ës.

Anëtarët e ECA-s kanë nënshkruar një letër , e cila është publikuar këtë të premte, ku kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me planin e Infantino-s.

“Ne jemi kategorikisht kundër çdo ndryshimi të mundshëm të Botërorit për Klube. Asnjë klub i ECA-s nuk do të marrë pjesë”, lexohet në letrën e Shoqatës së Klubeve Europiane.

Kur u pyet nëse ishte i shqetësuar për organizimin e një Botërori për Klube pas asnjë nga ekipet e mëdha të Europës, Infantino tha:

“Shpresojmë që skuadrat më të mira të marrin pjesë, kemi zhvilluar disa bisedime pozitive me UEFA-n. Gjithsesi, ishte përgjegjësia jonë që të merrnim një vendim, sepse duhet të merremi me organizimin. Kompeticioni është vetëm dy vite larg”.

Këshilli i FIFA-s ka vendosur se do të ishte i mundur edhe zgjerimi i Botërorit Katar 2022 nga 32 në 48 skuadra.

Këshilli tani do të diskutojë për mundësinë e shtimit të një vendi organizator për Kupën e Botës 2022 dhe një vendim përfundimtar do të merret në kongresin e FIFA-s që do të zhvillohet qershorin e ardhshëm në Paris.

“Do të ishte fantastike nëse ndodh, por edhe nëse nuk ndodh”, ka thënë Infantino.